E bardha letër 

 

Përse më tremb aq fort

e bardha letër...

Përpara saj

mendimet davariten,

Më duket vetja

bosh e krejt si tjetër,

Kur t'akulltat shkronja

nisin zhgarraviten.

Ajo dëbon nga koka

çdo mendim

Mezi vazhdoj atë

që pata nisur,

Dhe më pushton

një i madh trishtim,

Mendim e fjalë

duke mos ujdisur.

Pastaj se ç'ndihem

fare i topitur,

Në veten time

veten kot kërkoj,

Mendim e ndjenjë

janë davaritur

Dhe si i shtangur

letrën rri shikoj.

 

 

New York, 5.1.l993

 

 

Back to Top